20.05.2020

Demokracia, pandemia dhe ndikimi në ekonomi

Autori i editorialit: Saxhide Mustafa, Instituti Riinvest

Shoku ekonomik në planin global si pasojë e pandemisë COVID-19 konsiderohet me pasoja shumë të rënda  madje edhe më të rënda se ato te krizës financiare e vitit 2008. Ndikimet e saj janë strukturore me pasoja për shumë jetë të humbura, për sistemin shëndetësor, kontraktim të ekonomive gjithandej globit. Por implikimet sigurisht do të jenë edhe më të mëdha, ngase reformat strukturore brenda vendeve në planin politik, ekonomik, të mbrojtjes e sigurisë shëndetësore shtrojnë edhe nevojën e adresimit në planin global të dilemave etike dhe aspekteve të sigurisë lidhur me inxhinieringun bioekologjik dhe pasojat e tij potenciale, potencialisht të ngjashme me këto që po shohim.  

Kosova po ballafaqohet gjithashtu me pasoja. Adresimi dhe menaxhimi i krizës deri tani ishte relativisht i  kënaqshëm, masat nuk u vonuan shumë, por rigoroziteti i ndërprerjes se aktiviteteve ekonomike e sociale, distancimi social, sigurisht se do t’i ketë pasojat  në rënien e prodhimit dhe shërbimeve të ekonomisë  dhe si pasojë zvogëlimin e këtyre aktiviteteve e që do të thotë humbje e vendeve të punës, zvogëlim i buxhetit familjar, ndaj edhe rritje të kërkesave emergjente asistencë sociale dhe tutje kjo do ta rëndoj edhe më shumë buxhetin edhe ashtu ende modest të Kosovës.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parasheh se do të ketë një rritje negative në -3% në ekonominë globale. Pandemia COVID-19 po ndikon që ekonomia në vendin tonë do të ketë një tkurrje, një rritje në terma negativ ekonomik prej -5% sipas FMN-së; Qeveria e Kosovës sipas parashikimeve beson se rritja negative do të jetë -3%, ndërsa Banka Qendrore e Kosovës beson se kjo rritje do të jetë ndërmjet -2% dhe -4%.

Në diskutim u ngritën shqetësimet se dëmet në ekonominë e vendit janë të mëdha. Sektori privat po ballafaqohet me probleme të ndryshme si nga ato financiare, pastaj për ruajtjen e vendeve të punës, për produktivitetin punës, prodhimin, humbjen e tregjeve dhe stabilitetin e zinxhirit të furnizimit. Më së shumti në këtë situatë pandemie e kanë pësuar kompanitë e vogla dhe ato mikrondërmarrjet (1-5 të punësuar). Të hyrat në buxhetin e shtetit kanë rënie gjatë pjesës së dytë të muajit prill. Parashikimet e qeverisë janë se nëse kjo situatë zgjatë deri në fundin e muajit maj 2020, të hyrat do të kenë rënie rreth 200-220milion euro në vitin 2020.

Pakoja emergjente e ndërmarrur në kuadër të masave të qeverisë iu dedikohet skemave sociale, pensioneve,  pastaj pagat e punëtorëve në vlerë prej 170 euro neto në sektorin privat dhe për punëtorët që mund të humbin vendin e punës, po ashtu të siguroj likuiditetin për ndërmarrjet e vogla dhe ato që kanë vetëpunësim-mikro. Pakoja emergjente në vlerë prej 290 milion euro do të mbulohet nga kursimet e qeverisë, pa prekur obligimet ligjore, pagat në sektorin publik dhe projeksionet tjera të parapara. Kjo situatë/krizë ka efekt të dyfishtë: në njërën anë do të kemi rritje të papunësisë dhe njëkohësisht do të zvogëlohet kërkesa për konsum.

Masat e ndërmarra nga qeveria janë të mirëpritura dhe vlerësohen ndër më të mirat në rajon. Pritet që pakoja e rimëkëmbjes të korrigjoj disa masa të ndërmarra në pakon emergjente.  Pakoja për rimëkëmbje ekonomike parasheh 300-350 milion euro. Ky fond do të sigurohet nga kreditë apo ndihma tjera në mënyrë që arka e shtetit dhe bankat të ruajnë likuiditetin minimal. Gjithashtu në vëmendje këto kohë ka  qenë edhe ndryshimi i ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësive, e cila duhet të bëhet në bashkëpunim me kuvendin, dhe në këtë hendek politik nuk do të jetë e lehtë. Njëri nga folësit përmend se industria më e goditur është industria i mikpritjes dhe sektori më i goditur tani si ai: sektori i shërbimeve, sektori i turizmit, sektori i prodhimit, sektori i ndërtimtarisë. Do të goditemi me një ekonomi të pezulluar për disa muaj. Mbyllja e shteteve po ashtu do të ndikoj në zvogëlimin e kërkesës dhe zinxhiri i furnizimit do të ketë vështirësi çka do të ndikoj në zvogëlim të importit. Një burim me rëndësi konsiderohen remitencat. Diaspora konsiderohet si një potencial i madh e sidomos si burim investimit në ekonomitë familjare, e cila brenda një viti investon rreth 1 miliard euro. Kjo mund të ketë një rënie të lehtë por efekti negativ mund të shihet nëse do të kemi mbyllje të kufijve për një kohë të gjatë.

Shqetësimet e këtyre ditëve janë edhe rreth përcaktimit të pagës minimale prej 170 euro neto për të punësuarit në sektorin privat dhe atyre që do të humbin vendin e punës. Duhet pasur parasysh që para Pandemisë COVID-19 paga në sektorin privat ka qenë ndjeshëm më e ulët rreth 40% krahasuar me sektorin publik. Implementimi i pakos emergjente ka rëndësi të jetë në kohë reale sepse çdo vonesë do të thellonte edhe më shumë krizën. Qeveria garanton se do të ndermirren masa të cilat do të garantojnë se ndarja e ndihmave për sektorin privat do të jetë e drejtë dhe se të respektohen ligjet e vendit dhe nuk do të ketë diskriminim në implementimin e masave.

Iniciativa e BQK-së  për masat në sektorin bankar për shtyrjen e kredive për tre muaj po ashtu është përkrahur. Pritet poashtu rritje e Fondit për Garanci Kreditore në Kosovë dhe kjo do të ndihmonte në masë të madhe sektorin privat. Rritja e portofolios kreditore nga bankat, ulja e interesit, mundësia për shtyrje të kohës së pagesës së kredisë (grais periudhë) janë hapa mjaft të rëndësishëm për  mbështetjen e sektorit privat.

Duke pasur parasysh se sektori privat është gjeneratori i zhvillimit ekonomik, shihet si domosdoshmëri konsensusi i akterëve kryesor për bashkëpunim në dizajnin e pakos së rimëkëmbjes. Pakoja e rimëkëmbjes duhet të fokusohet në sektorët të cilët zhvillohen shpejtë dhe rrisin aktivitetin e tyre. Me rëndësi është që mjetet për këtë fond të sigurohen se do të përdoren me efektivitet dhe aty ku ipen fryte ekonomike për ringjallje ekonomike. Sektorë me potencial shihen sektori i prodhimit, sektori i bujqësisë, sektori i shërbimeve IT, pra sektorët të cilët mund të rrisin eksportin.

Bota pas pandemisë COVID-19 sigurisht nuk do të jetë më njësoj, parashohin gjithandej ekspertët e ekonomisë. Kjo situatë mund të ndryshoj edhe rendin ekonomik të shteteve.

Problemin në vend më shumë e thellon kriza politike dhe institucionale lidhur me luftimin e pandemisë Covid19. Kjo tutje shtron çështje serioze në masa brengosëse për trendin e zhvillimeve demokratike, sociale e ekonomike në vend.

Video e plotë e debatit mund të gjindet këtu: 

Friedrich-Ebert-Stiftung 
Kosovo

Rr. Pashko Vasa 23
10000 Prishtinë
Republika e Kosovës

+381 (0) 38 600 108
info(at)fes-kosovo.org