07.12.2019

Konsultimi publik i akteve i bënë qytetarët hisedarë në vendimmarrje lokale

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) në bashkëpunim me fondacionin gjerman Friedrich Ebert Stiftung (FES) mbajtën punëtorinë treditore me temën “Procesi i konsultimit publik të akteve komunale”. Punëtoria kishte për qëllim njohjen me rregullativën për konsultim publike të akteve komunale. Pjesëmarrës në punëtori ishin zyrtarë për informim të komunave dhe shoqëria civile.

Si problematike që u shfaq nga zyrtarët komunalë ishte interesimi i ulët i pjesëmarrjes qytetare në dëgjime publike dhe u kërkua që të gjendet një formë më e përshtatshme për pjesëmarrjen e qytetarëve në takime të tilla. Në të njëjtën kohë zyrtarët komunalë mirëpritën bashkëpunimin që po e ofron shoqëria civile në mobilizim të komunitetit, duke e lehtësuar procesin e identifikimit të nevojave të tyre.

Gjatë kësaj punëtorie, po ashtu u diskutua për Udhëzimin Administrativ për konsultimin publik në nivel lokal. Përfshirja sa më e madhe e qytetarëve në konsultim publik nënkupton që qytetarët të jenë hisedarë në përpilimin e politikave publike në nivel lokal. Megjithatë, duhet gjetur forma për të mobilizuar komunitetin dhe krijimin e besimit në këtë aspekt nga qytetarët, por duke e theksuar që ky nivel besimi duhet të jetë synim kryesor i raportit komunë - qytetarë.

Që konsultimi publik në nivel lokal të jetë sa më efektiv komuna, jo vetëm që duhet të publikojë kohën dhe vendin e mbajtjes së takimit, por duhet të shpjegojnë qëllimin e takimit që në fillim dhe të sigurojnë që çdo rekomandim i qytetarëve të merret parasysh. Komuna gjithashtu duhet të ketë parasysh që orari i konsultimeve të jetë sa më i përshtatshëm ashtu që t’iu mundësohet kushdo që është i interesuar të ketë qasje.

Ishte konkluzion i përbashkët  që një vëmendje më e madhe duhet të vihet në krijimin e mekanizmave të tilla që do të siguronin zbatimin e udhëzimit administrativ, në mënyrë që ky dokument të vihet në funksion dhe të arrihet një avancim i konsultimeve publike.

Në të njëjtën kohë u mirëprit dhe u vlerësua bashkëpunimi që po e ofron Instituti KLGI në mobilizim të komunitetit, duke e lehtësuar procesin e identifikimit të nevojave të tyre.

Ky aktivitet u realizua në mbështetje të fondacionit gjerman Friedrich Ebert Stiftung.

 

Friedrich-Ebert-Stiftung 
Kosovo

Rr. Pashko Vasa 23
10000 Prishtinë
Republika e Kosovës

+381 (0) 38 600 108
info(at)fes-kosovo.org