Vizit Studimore “Angazhimi i rinisë në politikë dhe shoqëri civile“

Düsseldorf, 09 – 14 korrik, 2018

Zyra e Fondacionit Friedrich-Ebert (FES) në Kosovë, ka organizuar një vizitë studimore në prej datës 09 – 14 korrik, 2018 në Düsseldorf, Gjermani për alumni-t e Akademisë Politike. Ishte kjo vizita e gjashtë studimore me radhë, e organizuar për alumni-t e AP. Përmes këtij aktiviteti ne jemi munduar që edukimin politik ta shndërrojmë në praktikë duke trajtuar dhe diskutuar për temat më relevante nga spektri rajonal dhe ai ndërkombëtar.

Ne e filluam rrugëtimin ditën e martë duke e vizituar zyrën qendrore të Fondacionit Friedrich–Ebert, në Bonn. U takuam me Dr. Martin Pfafferott, me të cilin diskutuam për punën dhe angazhimin e Fondacionit FES në kuadër të temave të ndryshme në rajonin e Rajn Vestfalisë Veriore (Northern Rhine Westphalia) dhe më gjerë. Përkundër temave tjera interesante, grupi e pati mundësinë që të fokusohet në diskutim lidhur me angazhimin e rinisë dhe rolin e FES-it në këtë çështje. Më pastaj, ne e vizituam Haus der Geschichte, në Muzeun Kombëtar të Gjermanisë. Aty delegacioni u njoh për së afërmi me aspektin politik, social dhe kulturor të historisë së Gjermanisë, dhe atë përmes përfaqësuesve historik, ideve individuale/kolektive, ngjarjeve dhe zhvillimeve historike, deri në ditët e sotme. Më pastaj, ditën e mërkure ne e patëm një takim dhe diskutim me OJQ-në lokale NABU NRW & NABU Stadtverband – me përfaqësuesen Ilona Steffe nga fusha e mjedisit.

Në nivelin politik ne u takuam me Josef Neuman, anëtar i Landtag të NRW për të diskutuar për pozitën e të rinjve, arsimin dhe politikat e tregut të punës ne biseduam edhe për sfidat e rinisë në Gjermani dhe jashtë saj, bashkëpunimin dhe politikat lidhur me të rinjtë e Kosovës të cilët janë të interesuat të studiojnë dhe të punojnë në Gjermani. Më pas, grupit i interesonte të dijë për politikën ndërkombëtare në nivel rajonal, për të kuptuar pozitën e socialdemokratëve lidhur me sfidat e reja në Gjermani dhe Evropë si, imigracioni, popullizmi djathtist në rritje, nacionalizmi dhe qasjet se si të trajtohen këto sfida nga pikëpamja socialdemokrate. Pas këtij diskutimi të frytshëm dhe konstruktiv, ne u ftuam që të jemi të pranishëm për një kohë të shkurtë në një debat parlamentar brenda në Landtag NRW.

Pas kësaj, ne u shëtitëm në qytetin e Düsseldorf-it, të udhëhequr nga Kölle Global dhe aty pamë shembuj të përpunimit të ushqimit, mbetjeve të ushqimit, plastikës dhe vizituam edhe bankat, etj.   

Ditën e enjte, agjenda e jonë ishte fokusuar në fushën e të Drejtave të Punës dhe Arsimit dhe Angazhimit të të Rinjve, dhe për këtë qëllim u takuam me Eric Schley, Sekretar për Rini i DGB Jugend, Konfederata e Sindikatave të Gjermanisë. Ne u njoftuan për funksionin e DGB-së, në mënyrë specifike për organizatën e rinisë, strukturën, sfidat dhe angazhimet e të rinjve në NRW dhe shtetet e jashtme. Ne u njoftuam me shembujt nga puna dhe aktivitetet të cilat janë duke u implementuar, si bie fjala, digjitalizimi brenda sindikatave, me qëllim që mjedisi i punës të jetë më tërheqës dhe në pajtim me kërkesat e tregut të punës.

Një takim tjetër interesant ishte takimi me Socialistët e Rinj të NRW. Ne shkëmbyem përvojat tona si rini e të dyja vendeve dhe paraqitëm opinionet tona për socialdemokracinë dhe vlerat e saj. Ne u informuam për rolin e tyre dhe fushën e veprimtarisë, organizimin e “JuSos”, strukturën, bashkëpunimin me SDP dhe për çështjet e temave më sfiduese me të cilat ata ballafaqohen në Northern Rhine Westphalia si student rinorë dhe aktivistë.  

Në ditën e fundit, e premte, ne u pritëm nga Landtag-u i komunës së Düsseldorf-it për të diskutuar për politikën e nivelit lokal me kryetarin e komunës -Thomas Geisel, SPD, (Oberbürgermeister Düsseldorf). Me qëllim të thellimit të debatit , ne e realizuam edhe një takim me Miriam Koch, Drejtoreshë e Zyrës për Migracion dhe Integrim, qyteti i Düsseldorf-it. Ne në veçanti biseduam për për imigracionin dhe integrimin në Düsseldorf. Përgjigja ndaj valës së migrimit në 3 vitet e fundit dhe në veçanti mikpritja e ofruar nga ana e institucionit të NRW, duke qenë nikoqir i tyre, duke ofruar strehim, duke krijuar hapësira të veçanta për të pritur dhe akomoduar imigrantët, duke u përpjekur që atyre t’ua mësojnë gjuhën, duke i vendosur nëpër shkolla dhe duke ju ofruar mbështetje financiare dhe përkujdesje shëndetësore deri në zgjidhjen përfundimtare të gjendjes së tyre.  

 

Friedrich-Ebert-Stiftung 
Kosovo

Rr. Pashko Vasa 23
10000 Prishtinë
Republika e Kosovës

+381 (0) 38 600 108
info(at)fes-kosovo.org