29.09.2025

Programi Future of Economy

Friedrich Ebert Stiftung (FES) Kosovë organizoi me sukses edicionin 2025 të Programit Future of Economy, i mbajtur nga 21–26 shtator në Pejë dhe Prishtinë.

Programi mblodhi së bashku të rinj profesionistë dhe akademikë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe Turqia, duke ofruar diskutime të thelluara mbi transformimin ekonomik, qeverisjen demokratike dhe zhvillimin rajonal. Pjesëmarrësit morën pjesë edhe në aktivitete kulturore dhe rrjetëzimi, përfshirë hiking në Rugovë dhe vizita në Parlamentin e Kosovës dhe Reporting House në Prishtinë.

Gjatë gjashtë ditëve, ekspertë të ndryshëm udhëhoqën sesione mbi politikat ekspansionare ekonomike, pabarazinë dhe koncentrimin e pasurisë, konceptet e qëndrueshmërisë, ekonominë gjinore, bujqësinë dhe inovacionin në tregjet në zhvillim. Një pikë e veçantë ishte simulimi shumëditor i negociatave tregtare, ku pjesëmarrësit luajtën rolet e shteteve fiktive për të kuptuar më mirë diplomacinë, vendimmarrjen strategjike dhe dinamikat e ekonomisë ndërkombëtare.

Programi u përmbyll me diskutime mbi tranzicionin energjetik, gjeopolitikën dhe ndikimin e tyre në ekonomitë e rajonit. Pjesëmarrësit prezantuan reflektime, pranuan certifikatat dhe diskutuan mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm në rrjetin e alumnive Future of Economy. Edicioni 2025 konfirmoi angazhimin e FES Kosovë për të promovuar dialog rajonal, mendim kritik dhe perspektiva progresive ekonomike.

Friedrich-Ebert-Stiftung 
Kosovo

Rr. Pashko Vasa 23
10000 Prishtinë
Republika e Kosovës

+381 (0) 38 600 108
kosovo(at)fes.de