08.04.2019

Raport – Prezantimi i Studimit për Rininë - Kosovë

Të martën, datë 2 prill, Zyra e Fondacionit Friedrich-Ebert (FES) në Kosovë, i ka paraqitur rezultatet nga studimi i kryer për rininë, i cili ofron dëshmi për perceptimet dhe mendimet e të rinjve kosovar. I kryer nga Instituti për Hulumtim dhe Konsulencë IDRA në vitin 2018, studimi thekson se të rinjtë në Kosovë (64%) u deklaruan të jenë të kënaqur me jetën e tyre dhe se (87%) janë optimistë për të ardhmen e tyre, përkundër shqetësimeve të mëdha që ata kanë lidhur me arsimin, punësimin dhe rënien e ndjeshme të interesimit për çështjet politike.

Sfidën më të madhe për të rinjtë e Kosovës e përbëjnë punësimi dhe arsimi. Më shumë se gjysma e rinisë kosovare (54%) nuk punojnë në profesionin që kanë dhe më shumë se 2 nga 5 të rinj (44%) janë të mbiarsimuar për vendet e punës që aktualisht i kanë.  Ngjashëm, çdo i katërti prej të rinjve nuk është as në trajnim, arsim ose i punësuar.  

Shqetësimet më të mëdha për të rinjtë kosovarë janë korrupsioni me (81 %), varfëria në rritje në shoqëri me (74 %) dhe padrejtësia sociale me (68 %). Veç kësaj, vetëm 10% e të rinjve kosovarë konsiderojnë se interesat e tyre përfaqësohen “mirë” në politikën e nivelit qendror. Për rrjedhojë, vetëm  13% e të rinjve konsiderojnë se në përgjithësi janë të interesuar në politikë. Ata nuk u besojnë partive politike, presidentit ose qeverisë qendrore. Rreth, gjysma e rinisë kosovare dëshirojnë të largohen nga vendi i tyre, ndonëse, ky numër ishte ndjeshëm më i lartë në vitin 2012 me (70%).

Ndërsa, familja sipas tyre paraqet bazën kryesore të stabilitetit në jetën e të rinjve. Familja është e gjithëpranishme në pothuajse të gjitha fushat e jetës së tyre, duke përfshirë këtu edhe kohën e lirë dhe vendimmarrjen.

Veç prezantimit të rezultateve, pati edhe mysafirë të ftuar si panelistë që vinin nga profesionet e fushave të ndryshme, e të cilët u angazhuan për interpretimin dhe diskutimin e rezultateve të dalura nga Studimi për Rininë. Oltion Rrumbullaku, (autori i Studimit për Rininë) pretendon se ndikimi i familjes duhet të konsiderohet si diçka problematike. Ai u propozoi të rinjve që vetë të gjejnë mënyrën e preferuar të jetesës. Linda Gusia (sociologe), deklaroi se familja si institucion është përgjegjëse që kosovarëve të rinj të ju jep sigurinë për të cilën ata kanë nevojë, meqenëse institucionet politike nuk janë mjaftueshëm funksionale për ta bërë këtë. Ajo beson se kjo është arsyeja e ekzistimit të apatisë politike në mesin e të rinjve.  

Sipas Agnesa Qerimiit (Këshilli Rinor i Kosovës), rezultatet kundërthënëse, përkushtimi dhe aktivizmi i ulët në mesin e të rinjve nuk janë diçka për t’u habitur. Ajo e fajëson sistemin e arsimit në Kosovë i cili nuk i mbështetë të gjitha llojet e talenteve dhe të interesimeve. Feim Hoxha (Drejtor i Departamentit të Rinisë në MKRS), u pajtua me pakënaqësinë e kosovarëve të rinj ndaj sistemit të arsimit dhe ai u sigurua se rezultatet nga Studimi për Rininë do të merren parasysh gjatë planifikimit të strategjisë së re për rininë nga po kjo ministri. Frank Hantke (Drejtor i Zyrës së FES-it në Kosovë), i inkurajoi të rinjtë e Kosovës që t’i përkushtohen një të ardhmeje më të mirë dhe të ndjekin një jetë të pavarur. Veç kësaj, ai tha se qeveria duhet ta përmirësoj sistemin e arsimit dhe jo vetëm të mbështesin karrierën akademike, por po ashtu të investoj në shkollat profesionale, në mënyrë që ekonomia e Kosovës të ketë dobi prej tyre.

Pjesëmarrësit në këtë prezantim, po ashtu konsideruan se Studimi për Rininë dhe gjetjet nga ky studim janë shumë të vlefshme dhe ata e perceptojnë atë si një pikë referente të mirë për debate të mëtejme për temat më të rëndësishme të të rinjve kosovar. Gjatë diskutimit pjesëmarrësit e rinj konfirmuan zhgënjimin e tyre për gjendjen politike në vend dhe pakënaqësinë e tyre me arsimin. Përqindja e lartë e optimizmit për të ardhmen e të rinjve mund të interpretohet si një optimizëm i cili është i bazuar në idenë për një të ardhme më të mirë, por në shtete tjera. Ata e arsyetojnë numrin në rënie të të rinjve të cilët dëshirojnë të emigrojnë (2012: 70% dhe 2018: 50%) për faktin se shumica e rinisë së Kosovës tashmë ka emigruar.  

Sidoqoftë, panelistët dhe diskutuesit janë pajtuar se shumë kosovar të rinj janë me shumë potencial dhe profesionalizëm të cilët duhet të inkurajohen. Është detyrë e politikës që t’i mbështes këta të rinj. Megjithatë, diskutuesit e rinj insistuan që të ndërpritet fajësimi i të rinjve që nuk janë aktiv dhe në vend të kësaj të krijohen kushte të përgjithshme për të ju mundësuar të rinjve që të jenë më të përkushtuar. Të rinjtë nuk duhet të trajtohen si objekte, por si subjekte të politikës rinore. Zgjidhjet duhet të gjinden bashkë me kosovarët e rinj. 

 Linku i videos: https://www.facebook.com/FESPrishtina/videos/366239857425026/?t=6 

Friedrich-Ebert-Stiftung 
Kosovo

Rr. Pashko Vasa 23
10000 Prishtinë
Republika e Kosovës

+381 (0) 38 600 108
kosovo(at)fes.de