15.07.2020

DEKLARATA E ANËTARËVE TË PLATFORMËS KOSOVA QË DUAM MBI MASAT KUNDËR COVID-19

Anëtarët e platformës Kosova që duam, kanë reflektuar mbi situatën dhe menaxhimin e pandemisë COVID-19, andaj edhe kanë vendosur të bëjnë thirrje publike për institucionet e Kosovës, që të krijojnë bazën e duhur ligjore për të mbështetur masat e nevojshme.

Kosova që duam, është platformë në të cilën organizatat e ndryshme të shoqërise civile dhe qytetarët, me vullnet të lirë bashkëpunojnë dhe koordinohen për avokim të përbashkët dhe të fokusuar për: edukim për punësim dhe zhvillim, zhvillim të qëndrueshem ekonomik, aktivizem qytetar për qeverisje të mirë, politika të qëndrueshme dhe të drejta sociale dhe shëndetësore, që mundësojnë jetë dhe punë të dinjitetshme për cdo qytetar të Kosovës.

 

Si iniciativë e shoqërisë civile që angazhohet për drejtësi sociale, liri dhe solidaritet në Kosovë, platform Kosova që Duam, bën thirrje për hartimin e legjislacionit të nevojshëm nga qeveria aktuale, i cili do të mundësojë bazën e duhur ligjore, të nevojshme për masa efektive në luftën kundër COVID-19.

Platforma Kosova që duam, udhëhiqet nga parimi që qytetarët e Republikës së Kosovës kanë të drejta dhe detyrime. Qytetarët kanë të drejtë për përkrahje bazike në shumë aspekte të jetës si në edukim, siguri shoqërore, dhe një rrugëtim të qartë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Por, ata kanë edhe detyrime në formën e taksave dhe kontributeve për sistemin solidar. Gjatë muajve të fundit, shumica e qytetarëve kanë respektuar pjesën e tyre të detyrës, duke pranuar limitimin e të drejtave të tyre, si liria e lëvizjes dhe e drejta për të protestuar, në mënyrë që të zvogëlohet lakorja e shpërndarjes së mëtutjeshmë të COVID-19.

Legislacioni adekuat për menaxhimin e COVID-19 ështëi nevojshëm për të menaxhuar situatën. Gjendja e tanishme krijon pasiguri që minon përpjekjet për implementimin e masave aktuale. Qytetarët meritojnë të kenë mbështetje ligjore dhe të veprojnë bazuar në Legjislacion i cili siguron shërbime dhe mbrojtje për të gjithë.

Meqë Gjykata Kushtetuese ka deklaruar se nevojitet qartësim i mëtutjeshëm i mandatit të Ministrisë së Shëndetësisë, qeveria duhet që ta paraqet legjislacionin e nevojshëm për të lejuar transparencë të plotë për përgjigje ndaj COVID-19.

Përtej efektit direkt në shëndetin e qytetarëve të Kosovës, pandemia ka krijuaj edhe krizë ekonomike për të cilën nevojitete aksion urgjent. Pasiguria aktuale shton një peshë të rëndë e të panevojshme për bizneset që edhe ashtu janë në vështirësi.

Kosova që duam thërret për një sistem efektiv dhe efikas të sigurimit shëndetësor dhe shoqëror i cili ofron shërbime të qasshme dhe të përballueshme nga të gjithë qytetarët e Kosovës.

Në kohë si këto, kur qytetarëve u kërkohet që të respektojnë masat mbrojtëse të nevojshme për mbrojtjen e jetëve të tyre dhe familjeve të tyre, shteti duhet poashtu të respektojë përgjegjësitë e tij. Prandaj një ligj adekuat për luftimin e COVID-19 është i nevojshëm për të mundësur një përgjigje efektive dhe transparente kundër pandemisë.

 

Friedrich-Ebert-Stiftung
Kosovo

Ul. Pashko Vasa 23
10000 Priština
Republika Kosovo

+381 (0) 38 600 108
kosovo(at)fes.de