26.08.2020

Ndikimi i pandemisë COVID-19 në punësimin e të rinjve

Në kuadër të cikleve të debateve të organizuara nga:

Kolegji Riinvest, në bashkëpunim me Platformën Kosova që Duam

Friedrich Ebert Stiftung (FES) dhe Debate Center

 

Hyrje

Pandemia si pasojë e  virusit COVID-19 është kthyer nga një krizë globale shëndetësore në një krizë të rëndë ekonomike. Politikat publike të ndërmarra si masa për të luftuar pandeminë kanë rezultuar në mbyllje të pjesshme (për një kohë të plotë) të ekonomisë. Për pasojë, vlerësimet për rritje ekonomike të para pandemisë janë rivlerësuar dhe tani pritjet janë që në nivel global, si dhe në Kosovë, rritja ekonomike do të jetë negative. Domosdoshmërish, kjo do të rezultojë me efekte negative në punësim.

Tregu i punës për të rinjtë është shumë i ndjeshëm ndaj cikleve ekonomike dhe në kohë të krizave ekonomike punësimi i të rinjve goditet më shumë sesa punësimi i të rriturve. Punëtorët e rinj shpesh janë "të parët" që pësojnë në situata të tilla. Sa për ilustrim, gjatë krizës financiare të vitit 2008, një në dhjetë vende të punës në Evropë, që ishin të zënë nga punëtorë nën 30 vjeç, u humbën.

Sipas vlerësimit të organizatës ndërkombëtare të punës (ILO), pandemia është duke shkaktuar një tronditje të trefishtë tek të rinjtë. Së pari, ndikimi i pandemisë vërehet në humbje të vendeve të punës; së dyti, pandemia ka ndërprerë në masë të ndjeshme procesin e arsimimit dhe aftësimit të tyre profesional; dhe së treti, pandemia ka krijuar barriera shtesë për të hyrë në treg të punës apo për të lëvizur nga një vend pune në tjetrin. Sipas këtij vlerësimi, në mesatare, një në gjashtë të rinj kanë humbur punën si pasojë e pandemisë. Pjesa tjetër ka përjetuar shkurtim të orarit të punës, rrjedhimisht pagës, për një të katërtën. Pandemia duket se ka pasur ndikim disproporcionalisht më negativ tek të rinjtë dhe në veçanti tek gratë e reja.

Përderisa është ende shumë herët për të parashikuar ndikimin e plotë të COVID-19 në Kosovë, është e qartë se ekzistojnë të dy thjerrëza përmes të cilave mund të shihet ky ndikim, përtej ndikimit në shëndetësi. Në njërën anë, pandemia tashmë ka krijuar pasoja të rënda socio-ekonomike, duke përfshirë rritjen e papunësisë, humbjen e të ardhurave dhe varfërimit. Në anën tjetër, pandemia ka demonstruar rëndësinë e rritjes së teknologjisë dixhitale në të gjithë botën për t'iu përgjigjur në mënyrë efektive krizave ekonomike që mund të nxiten, mes tjerash, nga krizat shëndetësore. Kjo krizë globale, pra, gjithashtu ka potencialin për të përshpejtuar transformimin dixhital për të krijuar vende pune të denja e fleksibile në Kosovë.

Sfondi

Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), pjesa e popullsisë në moshë pune që jeton në Kosovë është 65 përqind e popullsisë totale. Megjithatë, një pjesë shumë më e vogël e kësaj popullate është e angazhuar në tregun e punës pasi pjesëmarrja e fuqisë punëtore në Kosovë është një nga më të ulëtat në rajon, me një mesatare prej 39 përqind të pjesëmarrjes gjatë periudhës 2012-2019. Niveli i punësimit gjithashtu është shumë i vogël dhe në mesatare gjatë kësaj periudhe sillet nën 30 përqind.

Situata tek të rinjtë është veçanërisht shqetësuese. Sipas ASK-së, në nivel të Kosovës, tek të rinjtë, nga 15-24 vjeç, shkalla e punësimit është rreth 14.4 përqind (19.4 përqind për burra, dhe 8.6 përqind për gratë). Për ata në grupmoshën 25-34 vjeç, shkalla e përgjithshme e punësimit është 36.6 përqind, ku burrat kanë një shkallë më të lartë të punësimit 53 përqind, krahasuar me vetëm 18 përqind tek gratë. Krahas kësaj shkalle të ulët të punësimit, niveli i të rinjve, të cilët aktualisht nuk janë të punësuar, në proces arsimimi, apo trajnim në Kosovë, për vitin 2019, është shqetësues. Për burrat është rreth 31.4 përqind, ndërsa për gratë është rreth 34.2 përqind. Gjithashtu, shumica e të rinjve në Kosovë kanë nivel të mesëm ose të ulët arsimimi. Në përgjithësi, 39 përqind e të rinjve 15-29 kanë mbaruar shkollën e mesme të përgjithshme, 26 përqind kanë përfunduar një diplomë bachelor, dhe 16 përqind kanë përfunduar arsimin dhe aftësimin profesional. Nga pjesa tjetër, rreth 15 përqind kanë mbaruar vetëm arsimin fillor ndërsa vetëm rreth 4 përqind kanë një diplomë master apo doktoratë. Siç shihet, situata e punësimit të të rinjve në Kosovë ka qenë shqetësuese edhe para pandemisë dhe kjo mund të vështirësohet edhe më tej në rrethanat e reja.

 

Ndikimi i pandemisë tek të rinjtë në tregun e punës

Pasojat socio-ekonomike të pandemisë pritet të godasin të rinjtë në Kosovë më shpejt dhe më ashpër se grupmoshat e tjera. Kosovarët e rinj do të përballen me tronditje të shumta, përfshirë kufizimin ose ndërprerjen e arsimimit, trajnimit dhe mësimit në vendin e punës; humbjen e punës dhe humbjet e të ardhurave për shkak të largimit nga puna dhe/ose zvogëlimit të orarit të punës; dhe vështirësitë e mëdha në gjetjen e punëve në të ardhmen e afërt. Grupmoshat e reja janë gjithashtu më të cenueshëm për shkak se punojnë në sektorë që karakterizohen me informalitet më të lartë. Gratë e reja përballen me një barrë të dyfishtë, për të menaxhuar punën (ose pasojat e humbjes së vendit të punës) dhe kujdesin pa pagesë për fëmijë e të rritur dhe punën shtëpiake (posaçërisht për shkak të mbylljes së kopshteve dhe shkollave). Të rinj të tjerë të grupeve të margjinalizuar, veçanërisht të rinjtë nga komunitetet jo-shumicë, hasin barriera shtesë në kohë krizash.

Të rinjtë në Kosovë punojnë nëpër sektorë të ndryshëm, megjithatë, sipas ASK-së, një e treta e tyre punojnë në sektorët e tregtisë me pakicë dhe shitje, ndërtimtarisë, hoteleve dhe restoranteve. Rreth 10 përqind e tyre punojnë në sektorët e bujqësisë dhe atë të prodhimit, me një pjesëmarrje të ngjashme. Të gjithë këta sektorë janë goditur fort si pasojë e pandemisë. Në mënyrë të veçantë të punësuarit në ndërtimtari dhe sektorin e mikpritjes janë goditur më së shumti. Koicidentalisht të njëjtët sektorë kanë edhe shkallën më të lartë të informalitetit që për pasojë i vë të larguarit nga puna në këta sektorë në pozitë të cenueshme. Kjo për faktin se çfarëdo skeme mbështetëse që mund të dizajnohet për të punësuarit është e vështirë që të mbulojë pjesën e të larguarve nga puna që nuk kanë pasur marrëdhënie formale të punësimit.

Emigrimi dhe lëvizja e fuqisë punëtore do të vështirësohet si pasojë e pandemisë. Kjo do të zvogëloj mundësinë e të rinjve kosovar që të emigrojnë në vendet e Bashkimit Evropian dhe do të frenojë prirjen për emigrim e cila ka qenë në trajektore rritëse para pandemisë. Megjithatë, kjo do të rris presionin në tregun e punës. Sipas një studimi të Institutit Riinvest të vitit të fundit, rreth 49 përqind e të rinjve kanë pohuar se synojnë të emigrojnë në dy vitet e ardhshme.Emigrimi i fuqisë punëtore gjithashtu është evidentuar si një pengesë e rëndësishme që parandalon rritjen e bizneseve. Sipas të njëjti studim, një e treta e atyre që kanë lënë punën, e ka bërë këtë për shkak të emigrimit. Përqindja e të punësuarve që kanë emigruar në tre vitet e fundit është rreth 10 përqind, në mesin e kompanive që kanë pasur staf që është larguar nga kompania gjatë kësaj periudhe. Përballë këtij sfondi, dhe në kushtet e zvogëlimit të kufizimit të lëvizjes si pasojë e pandemisë, edhe për kundër presionit në tregun e punës, një numër biznesesh mund të kanalizojnë në punësim të rinj që alternativisht do të konsideronin emigrimin. Gjithashtu, kjo paraqet një potencial që mund të shfrytëzohet për të rritur ofrimin e shërbimeve të tregtueshme për tregjet e jashtme (siç mund të jenë shërbimet që mund të ofrohen në mënyrë elektronike; sektorë ky që ka qenë në rritje viteve të fundit).

Në mënyrë që të frenohen pasojat e pandemisë, Qeveria e Kosovës ka aprovuar me shpejtësi një pako emergjente në vlerë prej 180 milionë Euro. Kjo pako kishte për qëllim parandalimin e përkeqësimit të gjendjes dhe lehtësimin e pasojave për grupet e prekura drejtpërdrejtë nga pandemia. Rreth 50 përqind e vlerës së kësaj pakoje ishte e destinuar për përkrahje të drejtpërdrejtë financiare për sektorin privat duke përfshirë subvencionimin e një pjese të pagave, shpenzimet e qirasë, dhe kontributet pensionale të punëtorëve. Megjithatë, vetëm një e treta e buxhetit të kësaj pakoje është disbursuar deri më tani. Krahas kësaj, Qeveria ka aprovuar edhe një pako për rimëkëmbje ekonomike që kapë vlerën e rreth një të pestës së produktit të brendshëm bruto dhe pritet të zbatohet gjatë vitit 2020 dhe 2021. Një mori masash për mbështetje të punësimit janë paraparë me këtë plan dhe përfshijnë: (i) subvencionimin e pagës për punëtorët në biznese të prekur nga pandemia (ii) subvencionim i pagës për punëtorët e rinj që marrin bizneset në punë bazuar në një plan që identifikon sektorët dhe kategorinë e punëtorëve më në nevojë, si dhe (iii) përkrahjen profesionale për biznese për funksionim në kushte pandemie, siç është puna nga shtëpia, puna online, transformimi digjital.

Çfarëdo politike publike që zbatohet në vijim, duhet të sigurojë që të krijoj stimuj për formalizim të punësimit si dhe të krijojë parakushte për një transformim dixhital rrënjësor. Tregu i punës mund të mos jetë më i njëjti sikurse në kohën e para pandemisë. Për rrjedhojë, periudha e pas pandemisë mund të jetë një fillim i ri për shumë politika publike në sferën e punësimit.

 

Mundësia e përshpejtimit të transformimit dixhital

Krahas sfidave evidente që kjo krizë ka shkaktuar, e njëjta gjithashtu paraqet një mundësi për ndryshime transformuese. Të rinjtë janë një ndër burimet më të rëndësishme të Kosovës në formimin e kapitalit njerëzor dhe shtytës të rëndësishëm të zhvillimit. Suksesi i përgjigjes ndaj kësaj krize, qëndrueshmëria e rikuperimit dhe arritja e qëllimeve afatgjata të zhvillimit do të varen, mes tjerash, nga të rinjtë e aftë me dije e shkathtësi konkurruese.

Pandemia ka treguar që teknologjia dixhitale po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për çdo ekonomi, duke pasur potencial që të ndikojë pozitivisht në rritje të punësimit, qoftë nga ana e kërkesës, ofertës dhe mekanizmave ndërmjetësues në tregun e punës. Tregtia dixhitale e shërbimeve tashmë ishte në rritje në Kosovë para krizës, dhe tregjet evropiane dhe tregjet e tjera patën rritje të kërkesës për shërbime të ofruara në mënyrë dixhitale. Këto zhvillime globale dhe rajonale mund të rezultojnë në mundësi më të mëdha për kosovarët e rinj që të përfshihen në punë dixhitale, të cilat ofrojnë shërbime jo vetëm për tregun e jashtëm por edhe atë të brendshëm.

Nga ky këndvështrim, stimulimi i rritjës së aftësive për të rinjtë në ekonominë dixhitale të Kosovës duhet të jetë fokus i politikave publike. Tani, më shumë se kurrë, është thelbësore të investohet në punësimin e të rinjve dhe zhvillimin e aftësive dixhitale, në mënyrë që të përshpejtohet dhe nxitet transformimi dixhital i Kosovës për t'iu përgjigjur në mënyrë efektive sfidave shtesë të paraqitura nga COVID-19 dhe për të siguruar një rikuperim gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm afatgjatë.

 

 

Friedrich-Ebert-Stiftung
Kosovo

Ul. Pashko Vasa 23
10000 Priština
Republika Kosovo

+381 (0) 38 600 108
kosovo(at)fes.de